Bashkësia Fetare Islame në Maqedoni ka kërkuar nga partitë politike të mos përdorin fenë në fushatat e tyre parazgjedhore, pasi Maqedonia në kushtetutë definohet si shtet sekular ku feja dhe politika janë të ndara, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“BFI si institucion i vetëm fetar për organizimin e jetës fetare në vend gjithmonë ka përkrahur vlerat demokratike dhe gjithmonë kemi dëshmuar se jemi për zgjedhje të lira, fer e demokratike, të qeta e dinjitoze, pa ofendime, pa imponime, pa kërcënime, pa dhunë, pa vëllavrasje dhe ftojmë të gjithë qytetarët që me 11 dhjetor 2016, të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të garantuar me Kushtetutë dhe përcaktimin e tyre demokratik në shfrytëzimin e votës, për platformën apo opsionin politik në të cilin vetë do të përcaktohen. Ne nuk do të bëhemi alibi, as për fitoren e as për humbjen e asnjërës prej partive politike. Bashkësia Fetare Islame në Maqedoni është institucion apolitik dhe nuk është pjesë e këtij procesi zgjedhor, andaj dhe apelojmë të gjithë nëpunësit fetar të BFI që të shmangin mitingjet partiake”, thuhet në apelin drejtuar partive politike./Telegrafi/