Ikona e muzikës pop, Beyonce, ka njoftuar atë që duket se ka të bëjë me albumin e saj të ardhshëm solo të titulluar “Renaissance”.
Ky album i artistes së famshme amerikane pritet të dalë në treg më 29 korrik 2022.
Ndërkohë që këngëtarja ndau fjalët “act i … RENAISSANCE” në rrjete sociale, ka lënë të aludohet se po vjen me diçka madhështore.
Menjëherë pas kësaj platformat muzikore përfshirë Spotify, Apple Music dhe Tidal, në pronësi të bashkëshortit të saj, Jay-Z, postuan gjithashtu dizajnë të ndryshëm me të njëjtin formulim dhe ua ofruan fansave mundësinë për ta ruajtur albumin.
Lista e Apple Music në anën tjetër bën me dije se ky album do të ketë gjithsej 16 këngë.
Ky ndërkaq do të jetë albumi i shtatë i Beyonce që vjen gjashtë vite pas atij të fundit “Lemonade”, të lansuar në 2016.
Përveç albumit solo, ajo gjithashtu ka publikuar edhe një album të përbashkët me Jay-Z, “Everything is Love”, në vitin 2018.
E njëjta mes tjerash solli edhe një këngë të titulluar “Be Alive”, për kolonën zanore të filmit “King Richard” në nëntor të vitit 2021. /Telegrafi/