Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe anëtarët e kabinetit të tij, kanë bërë betimin pasditen e sotme në Presidencë.
Në ceremoninë e zhvilluar, në praninë e presidentit Ilir Meta, kreu i qeverisë dhe ministrat janë betuar se do të zbatojnë Kushtetutën në interes të qytetarëve dhe vendit. Në momentin e betimit, mes kryeministrit dhe kreut të shtetit ka patur edhe një shtrëngim duarsh.
Duke marrë fjalën në këtë event, Meta ka shprehur urimin që qeveria e re të jetë në lartësinë e detyrave që e presin.
“Dëshiroj që në këtë moment të rëndësishëm të ndaj me ju urimin më të sinqertë për suksese dhe rezultate sa më pozitive në qeverisjen e vendit. Qytetarët presin përpjekje më të mëdha për të përballur sfidat që kemi përballë”, ka deklaruar Meta.
Meta po ashtu ka kërkuar përshpejtimin e zbatimit të reformës në drejtësi, ndërkohë që theksin e ka vendosur edhe tek integrimi evropian.
Ndër të tjera, kreu i shtetit ka vënë në dukje se, qeveria duhet t’i përgjigjet kërcënimeve që vijnë nga terrorizmi dhe krimi i organizuar, ndërsa ka shtuar se një rëndësi të veçantë sa i takon sigurisë së vendit dhe rajonit janë marrëdhëniet e mira me fqinjët.