Besnik Hasi duket se do të jetë pasuesi i Gianni de Biasit te Kombëtarja shqiptare.Besnik Hasi i ka dhënë lamtumirën skuadrës belge të Anderlecht.
Mbrëmjen e së enjtes, klubi publikoi një deklaratë ku njoftoi se gjakovari nuk do të jetë më në stolin e tyre.
“Kam kaluar 14 vite të mrekullueshme tek Anderlecht, fillimisht si lojtar, pastaj si ndihmëstrajner e në fund edhe si trajner. Kjo skuadër gjithmonë do të jetë në zemrën time. Dua të falënderoj klubin për mundësitë që më kanë dhënë”, u shpreh Hasi.
Ndërsa, menaxheri i Anderlecht, Van Holsbeeck, i ka uruar Hasit gjitha të mirat në karrierë duke e falënderuar për kontributin që ka dhënë për skuadrën. “Besniku ka potencialin për të qenë një trajner i madh”, tha ai.
Largimi i Hasit nga pankina e skuadrës belge vjen vetëm pak orë pas lajmit që dha Top Channel, që duke iu referuar burimeve të sigurta raportoi se Hasi mund të jetë trajneri që mund të marrë drejtimin e kombëtares shqiptare, pasi De Biasi ka në tryezë një ofertë të majme nga Al Nasri.
Sipas të njëjtave burime, klubi ku president është ministri i Financave të Emirateve të Bashkuara Arabe është gati t’i paguajë 1.5 milionë euro në sezon De Biasit.