Telegrafi

Besimi: Do të bëhen përpjekje për kthim më të shpejtë të tatimit personal te fermerët

Ministri i Financave, Fatmir Besimi sot ka paralajmëruar se do të bëhen përpjekje shtesë për përshpejtimin e kthimit të tatimit personal mbi të ardhurat për fermerët. Kjo, siç tha ai, do të realizohet në koordinim me DAP-in dhe Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave.

Besimi, duke iu përgjigjur pyetjes së deputetëve tha se në procedurë është dëmshpërblimi për fermerët nga Negotina dhe Kavadari. Sipas vlerësimeve, siç informoi ai, dëmet në Kavadar janë 51,4 milionë denarë, ndërsa në Negotinë 163,5 milionë denarë.

“Për dëmet në Kavadar dhe Negotinë, Qeveria më 27 dhjetor ka marrë vendim që t’i kompensojë pjesërisht, siç parashihet me ligj. Ministria e Financave tashmë është duke vepruar sipas atij konkluzioni dhe ka dërguar deri në Qeveri Propozim-vendim për pagesën e kompensimit për këto dy komuna. Është në procedurë dhe së shpejti do të realizohet në një nga mbledhjet e ardhshme”, thekson Besimi.

Dy pyetjet janë parashtruar nga deputeti Panço Minov. Sa i përket kthimit të tatimit personal, Minov ka pyetur Besimin nëse pagesa mund të përshpejtohet dhe mjetet për vitin 2021 të kthehen deri në qershor të vitit 2023, ndërsa mjetet nga viti 2022 të kthehen deri në fund të vitit 2023.