Ministri i Financave, Fatmir Besimi sot njoftoi se me ribalancimin e buxhetit garantohen pagesa e pagave të cilat janë rritur në disa sektorë.
“Propozim-vendimi për shpërndarjen e mjeteve ndërmjet shfrytëzuesve buxhetor është vendim për rialokimin e mjeteve për pagesën e pagave të rritura për punonjësit e sektorit publik, nga ky muaj, diçka për të cilën është rënë dakord me sindikatat, pagesa e pensioneve të rritura nga 6% për pensionistët nga tetori, që është në përputhje me metodologjinë që kemi përcaktuar së bashku, fonde për të drejtat sociale, më shumë fonde për subvencione bujqësore, për ilaçin trikafta për 55 pacientë dhe për matësit për personat me diabet”, tha ministri i Financave, Fatmir Besimi sot në Kuvend ku është diskutuar për Propozim-vendimin e ndryshuar për rishpërndarjen e mjeteve në mes të shfrytëzuesve buxhetorë, i cili përmban edhe tetë amendamente që janë pranuar në seancën e komisionit.
“Vlera e këtij rialokimi është rreth treqind milionë euro, e cila është bërë pa rritje të deficitit dhe janë paraparë mjete për të gjitha shpenzimet që janë paraparë”, tha ministri Besimi.
Ai shtoi se kjo është bërë nga pjesët ku ka pasur më pak dinamikë të realizimit, nga kursimet dhe rritja e të ardhurave nga kontributet./Telegrafi/