Telegrafi

Besimi në ekonominë shqiptare rritet për të tretin muaj radhazi, ndikohet nga sektori i shërbimeve dhe konsumatorët

Treguesi i ndjesisë ekonomike (TNE) u rrit për të tretin muaj radhazi në janar. Sipas vrojtimit periodik të Bankës së Shqipërisë, përmirësimi i treguesit të besimit u përcaktua nga rritja e besimit në sektorin e shërbimeve dhe rritja e besimit konsumator.

Në të kundërt, besimi në sektorët e industrisë, ndërtimit dhe të tregtisë pësoi rënie.

Treguesi i besimit në shërbime vijoi prirjen rritëse për të katërtin muaj rresht, duke u rritur me 4.3 pikë përqindje në muajin janar. Si rrjedhim, niveli i tij vijon të mbetet ndjeshëm mbi mesataren historike, rreth 13.2 pikë përqindje më lart. Rritja u ndikua nga vlerësimet pozitive për ecurinë aktuale të biznesit dhe për nivelin e kërkesës.

Vlerësimet e bizneseve të shërbimeve për nivelin e punësimit nuk kanë ndryshime të ndjeshme nga muajt e kaluar. Pritjet e tyre për ecurinë e çmimeve në të ardhmen vlerësohen me rritje.

Treguesi i besimit konsumator vijoi të përmirësohet për të katërtin muaj rresht, duke iu afruar më shumë mesatares historike. Niveli i tij u rrit me 0.9 pikë përqindje në janar, duke qëndruar rreth 4 pikë nën mesataren historike.

Rritja u ndikua nga pritjet më optimiste për situatën ekonomike e financiare, si dhe për blerjet në shuma të mëdha në të ardhmen. Nga ana tjetër, vlerësimi për blerjet e mëdha gjatë muajve të fundit ishte me rënie. Pritjet për nivelin e përgjithshëm të çmimeve në të ardhmen janë rishikuar për lart këtë muaj.

Treguesi i besimit të industrisë ra me 1.3 pikë përqindje në muajin janar, i ndikuar kryesisht nga vlerësimet në rënie për kontratat porositëse, si vendase ashtu edhe nga eksportet. Krahasuar me mesataren historike, niveli i treguesit është rreth 2.5 pikë përqindje më i lartë. Ndërkohë, bizneset vlerësojnë me rritje të lehtë prodhimin industrial, si dhe gjendjen e inventarëve.

Pritjet e bizneseve për prodhimin në të ardhmen dhe për çmimet janë rritur.

Treguesi i besimit në ndërtim regjistroi rënie me 3.4 pikë përqindje në muajin janar. Megjithatë, niveli i tij mbetet ndjeshëm mbi mesataren historike, rreth 17.3 pikë përqindje më lart.

Rënia në këtë muaj u ndikua si nga vlerësimi më i ulët për aktivitetin aktual të biznesit ashtu dhe nga niveli më i ulët i porosive. Bizneset e ndërtimit presin rënie të çmimeve të tyre në të ardhmen.

Treguesi i besimit në tregti ra me 1.1 pikë përqindje në muajin janar, por mbeti 1.2 pikë përqindje më i lartë se niveli mesatar. Bizneset e tregtisë vlerësuan me rënie ecurinë aktuale të biznesit të tyre, si dhe pritjet e punësimit. Gjithashtu, pritjet për çmimet në të ardhmen u vlerësuan me rënie. /Telegrafi/