Telegrafi

Besimi: Në buxhet janë ndarë mjete për investime kapitale në vlerë prej 5.3% të BPV-së

Përmes përshpejtimit të investimeve totale, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat, do të krijohen vende të reja pune dhe do të përshpejtohet rritja ekonomike, thotë ministri i Financave Fatmir Besimi në një intervistë për “Zërin e Amerikës” në gjuhën maqedonase.

Besimi thekson se buxheti ka ndarë mjete për investime kapitale në vlerë prej 5.3% të BPV-së, që është dyfishi i mesatares historike, por edhe se investimet e sektorit privat do të inkurajohen përmes programeve. Për të mbështetur sektorin privat, por edhe popullsinë, në buxhet janë parashikuar 225 milionë euro për masat kundër krizës.

“Ne presim që investimet në ekonominë të rriten nga 31%-32% në 38%-39% në pesë vitet e ardhshme. Në atë mënyrë do të krijohen vende të reja pune, por edhe rritja ekonomike do të dyfishohet në krahasim me atë që ishte në të kaluarën, pra nga rreth 2.5%, do të prisnim rritje prej 5% rritje mesatare vjetore”, thotë Ministri i Financave.

Ai shpjegon se këto pritshmëri bazohen në angazhimin e Qeverisë për të rritur ndjeshëm investimet publike, përmes projekteve të mëdha kapitale si fillimi i katër autostradave të reja në korridoret 8 dhe 10, por edhe ndërtimi i linjës hekurudhore lindore dhe perëndimore në Korridorin 8. dhe rehabilitimi i hekurudhës së Korridorit 10, si dhe investimi në pavarësinë energjetike./Telegrafi/