Pierre Kalulu pritet të startojë për Juventusin kundër klubit qe ende ka kartonin e tij, Milanit, në derbin e së shtunës. Ai ka treguar në një intervistë së fundmi se si e bindi Thiago Motta të kalonte te Juventusi.
24-vjeçari që u bashkua me kuqezinjtë në vitin 2020, kaloi në huazim te Juventusi më 21 gusht për 3.3 milionë euro dhe me opsionin e blerjes për 14 milionë euro të tjera plus 3 milionë euro bonuse.
“Kur Thiago Motta më telefonoi, ai më pyeti nëse isha gati të luaja çdo tre ditë, pastaj më tha se mund të më shihte duke luajtur në të djathtë, në qendër dhe në të majtë”.
“Kur ndjen se klubi ka besim te ty, atëherë jep maksimumin. Duhet të ndihesh sikur je në një ekip dhe një klub që të do vërtet, sepse ne jemi qenie njerëzore dhe punojmë me zemër”.
“Më kujtohet gjithashtu që Motta më tha se ai zgjedh formacionin e tij bazuar në seancat stërvitore”, tregon Kalulu.
Sigurisht që duket se ka funksionuar, sepse Kalulu ka bërë tashmë 13 paraqitje për Juventusin midis Serie A dhe Ligës së Kampionëve. /Telegrafi/