Telegrafi

Besim Beqaj flet për aferën “Pronto”, çdo veprim thotë se e ka në harmoni me ligjin (Video)

Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj në një intervistë në Telegrafi.com me gazetarin Muhamet Hajrullahu ka folur për aferën Pronto, ku edhe është lakuar emri i tij.

Beqaj ka thënë se pret që Prokuroria e drejtësia të thotë shpejt fjalën e vet dhe se është i gatshëm për çfarëdo qartësimi të ardhshëm.

“Ajo çka unë mund të them është se veprimet të cilat unë i kam bërë, secili veprim është në harmoni me ligjin dhe rregullat e Kosovës dhe unë do të jem jo vetëm me prokurorinë po me këdo që ka nevojë për çfarëdo sqarimi, për të gjitha proceset që kam qenë përgjegjës të përgjigjem në çdo kohë, në çdo moment me dokumentacion. E mira është se çdo veprim që është bërë jo vetëm te afera Pronto sepse afera Pronto as nuk fillon as nuk përfundon me Besimin por për shumë e shumë gjëra tjera”, ka deklaruar Beqaj për Telegrafin.

Beqaj ka thënë se është i gatshëm nëse është e nevojshme për të dhënë shpjegime institucioneve përgjegjëse dhe pret që ata të veprojnë shpejt dhe nga drejtësia pret drejtësi.

Ai ka folur edhe për takimet me prokurorinë.

“Normalisht që ne kemi bashkëbiseduar, jemi takuar, ju kam shpjeguar nëse flasim për ato atje emërimet…. dhe te ndërhyrja e famshme në PTK për të caktuar drejtorin e ku ta di unë çka. Janë procedura të rregulluara me ligj dhe ju kam thënë shikoni lexoni ligjin për ndërmarrjet publike. Ligji për ndërmarrjen publike thotë që në rast se drejtori ekzekutiv i një ndërmarrje jep dorëheqje në mënyrë të drejtpërdrejtë përgjegjësia e parë bie mbi zyrtarin më të lartë në atë ndërmarrje dhe zyrtari më i lartë i asaj ndërmarrje është drejtori financiar, pas drejtorit të përgjithshëm. Pra janë gjana hipotetike që janë ndërtuar ….” ka deklaruar mes tjerash Beqaj.

“Unë po besoj që shpjegimin e kam bërë. Unë pres që prokuroria pas hetimit që do ta bëjë nëse e gjen fajtor, X, Y, Z, në këtë rast duhet të veprojë, por nëse nuk më gjen mu fajtor duhet të veprojë edhe në raport me media. Sepse atë që jemi duke parë është gjatë këtyre viteve është një tendencë politike për të dëmtu imazhin e njerëzve…”, ka thënë mes tjerash Beqaj. /Telegrafi/