Kandidatja për deputete në Kuvendin e Kosovës nga radhët e koalicionit AAK- PSD, Besa Luzha në një intervistë për “Përballje ditore”, me gazetarin Muhamet Hajrullahu në Telegrafi.com ka shpalosur programin qeverisës të këtij koalicioni.
Luzha ka thënë se ndër prioritetet e koalicionit AAK-PSD, është edhe kultura.
“Me vetë faktin qe më kanë ftuar që e kanë ditë se kam qenë shumë e angazhuar me aktivitete të shumta në fushën e kulturës dhe në një farë mënyre hapësira që më është lënë, që pikat e kulturës dhe programi në një farë mënyrë ta vendosi ashtu siç e mendoj vërtetë, unë dhe disa kolegë të tjerë, sepse vetëm një njëri nuk mundet t’i bëjë gjërat siç duhet. Modeli i Prishtinës që ka qenë deri tash , rritja e subvencioneve, qasja e barabartë ndaj sektorit të pavarur të kulturës, premtime konkrete për gjëra që mund të bëhen”, është shprehur Luzha.
Në qoftë se koalicioni AAK-PSD del fitues në zgjedhjet e 6 tetorit, Luzha tregoi se si do t’i bëjnë ndryshimet në kulturë.
“Thjesht ndërrimi i qasjes rreth financimit, rritja e buxhetit, qasja e barabartë ndaj sektorit, ndërrimi i modelit të menaxhimit të institucioneve publike të kulturës, decentralizimi me përgjegjësi me buxhet dhe menaxhim, kriteri profesional, vetë menaxhimi nga komuniteti por natyrisht me mbikëqyrje nga shteti”, ka thënë ajo.
Ajo shtoi se modelet që do t’i ndjekin nuk janë të panjohura, ajo përmendi Kroacinë se si e ka trajtuar fondin e pavarur për kulturë, si dhe Japoninë.
Në intervistën e dhënë për Telegrafin, Luzha ka folur edhe për tema tjera të rëndësishme, siç janë dialogu me Serbinë, taksa 100 për qind, zhvillimi ekonomik e të tjera./Telegrafi/