Sipas Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, 31 për qind e shqiptarëve preferojnë më shumë një sistem autoritar qeverisjeje sesa demokracinë.
Gjetjet janë bërë publike në vrojtimin “Jeta në Tranzicion”, që BERZH bën mbi të gjitha ekonomitë në zhvillim.
Sipas raportit, pjesa e banorëve të Shqipërisë që duan qeverisje autoritare është tre herë më e lartë sesa ajo e qytetarëve të Evropës Perëndimore. Madje, ajo është më e lartë edhe sesa mesatarja e ish-vendeve komuniste të ngjashme me Shqipërinë, ku treguesi raportohet 28 për qind.
Sipas vrojtimit, vetëm 50 për qind e tyre preferojnë një sistem demokratik qeverisjeje, ndërsa pjesa tjetër shprehen neutralë. Të dhënat tregojnë madje se mbështetja për demokracinë në Shqipëri është ulur ndjeshëm në 6 vitet e fundit, nga 57 për qind që ishte në vitin 2010 në 50 për qind aktualisht.
Vrojtimi paraqet një panoramë të ngjashme edhe për preferencat mbi sistemin ekonomik. Sipas BERZH-it, një e treta e shqiptarëve dëshirojnë të kenë një ekonomi plani të centralizuar, si ajo e regjimit komunist. Kjo shifër është 13 pikë përqindje më e lartë sesa mesatarja e vendeve të Evropës Perëndimore, por në raport me vendet e tjera në tranzicion ajo është lehtësisht më e ulët.
Ndërkohë, situata është më ndryshe në Kosovë, ku mbështetja për ekonominë e tregut është më e larta në rajon me 62 për qind që mbështesin këtë sistem, transmeton Telegrafi. Po ashtu, mbështetja për demokraci është më e madhe, me 67 për qind. Të dy këto vlera janë mbi mesataren e Evropës Juglindore.
23 për qind e tyre preferojnë ekonominë e planifikuar e 18 për qind sistemin autoritar. Ndërkaq, 15 për qind e tyre thonë se “për njerëzit si unë, s’ka rëndësi se cili sistem ekonomik apo politik zë pjesë në vend”.
Një pakicë e banorëve të Kosovës mendojnë se ka institucione demokratike në vend, ndërsa veç 30 për qind besojnë se liria e të shprehur, paqja dhe stabiliteti garantohen në vend. 26 për qind besojnë se ka barazi gjinore e 25 për qind se ka opozitë në vend. Veç 20 për qind besojnë se shteti ka zgjedhje të lira, ligj dhe rend.
Këto vlerësime janë më të këqija se në Shqipëri ku 44 për qind besojmë në lirinë e shprehjes, 42 për qind në paqe dhe stabilitet dhe 41 për qind në barazi gjinore.
Gjetjet e vrojtimit janë rezultat i intervistave direkte. Sipas BERZH-it, hartuesit e sondazhit kanë pyetur 1,500 veta për secilin nga 29 vendet e përfshira në vrojtim. Përfundimi kryesor është se në vendet ish-komuniste të lindjes, nostalgjia për të shkuarën, të paktën sipas BERZH, është jo e vogël. /Telegrafi/