Qyteti i Berlinit ka pezulluar përdorimin e vaksinës së AstraZeneca kundër coronavirusit, për burra dhe gra nën 60 vjeç, tha të martën senatorja shëndetësore Dilek Kalayci.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Kalayci tha se ajo donte të priste për grupin tjetër të rekomandimeve nga rregullatorët pas raporteve të efekteve anësore nga vaksina.
Më herët, spitalet shtetërore të Berlinit ndaluan vaksinimin e grave nën 55 vjeç me vaksinën e AstraZeneca, mes raporteve për efekte anësore të rralla, por serioze.
Sipas DW, në disa raste, pacientët që morën vaksinën AstraZeneca më vonë vazhduan të zhvillonin një formë të pazakontë të mpiksjes së gjakut në kokë.
Nga disa raste të regjistruara, gratë më të reja janë prekur kryesisht.
Grupet spitalore Charite dhe Vivantes, të cilat operojnë rrjete spitalore në kryeqytetin gjerman, thanë se masa ishte një masë paraprake.
“Nga pikëpamja e Charite, ky hap është i domosdoshëm sepse ndërkohë trombozat e venave cerebrale janë bërë të njohura tek gratë në Gjermani”, tha një zëdhënëse në një deklaratë dërguar disa mediave gjermane.
Masa prek kryesisht personelin dhe punonjësit e spitalit – pasi vaksinat ndaj koronavirusit në Gjermani aktualisht janë kryesisht të kufizuara për njerëzit mbi 80 vjeç dhe punonjësit e kujdesit shëndetësor.
Ndryshe, disa vende evropiane shkurtimisht pezulluan përdorimin e vaksinës në fillim të këtij muaji, por rifilluan vaksinimin pasi rregullatorët e BE-së thanë që kjo vaksinë ishte e sigurt për përdorim. /Telegrafi/