Site icon Telegrafi

Berisha: Zotimet e Trump janë një mbështetje e çmuar për shqiptarët

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, përshëndeti gjatë një deklarate për shtyp, inagurimin e Donald Trump si president i 47-të i SHBA-ve.

Berisha, në fjalën e tij, theksoi se rikthimi i Trump në Shtëpinë e Bardhë i jep fund axhendave majtiste, me në krye filantropin George Soros, për të goditur forcat konservatore në botë.

Berisha theksoi se lufta e shpallur nga Trump ndaj karteleve të drogës, do të godasë dhe atë që ai e cilësoi si “narkoshteti shqiptar i kryeministrit Rama”.

“Rikthimi i Donald Trump si president i 47 i SHBA-ve është rikthimi me votën e lirë, më i fuqishëm, më i jashtëzakonshëm në historinë e njerëzimit.

Rikthimi i presidentit Donald Trump ishte një mrekulli e vërtetë për kombin e madh amerikan, por edhe për mbarë botën.

Zoti e shpëtoi jetën Donald Trump dhe kombi i tij i madh e zgjodhi president për të shpëtuar SHBA-në, lirinë, paqen dhe sigurinë në botë.

Nga sot, nën udhëheqjen e presidentit Donald Trump, fuqia e pakrahasueshme e SHBA-së do të bëjë këtë vend, por edhe mbarë botën, më të lirë dhe më të sigurt.

Rikthimi i presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë është shpëtimi i SHBA-ve dhe jo vetëm i tyre, nga vërshimi politik, kulturor, social në politikën zyrtare të administratës amerikane të ekstremit të majtë marksist-leninist, dhe përtej marksist-sorosian, që me flamurin e censurës “ëoke” kulture, dhe sulmin ndaj familjes dhe identitetit gjinor njerëzor, përbën një rrezik madhor për qytetërimin perëndimor dhe njerëzimin në tërësi.

Nga sot, me presidentin Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, liria e fjalës dhe mendimit janë më të garantuara.

Trashëgimia dhe kultura tradicionale e kombeve, familja dhe identiteti njerëzor janë më të mbrojtura dhe më të sigurta se ndonjëherë më parë.

Kthimi i presidentit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë shënon fundin e përdorimit të parave të taksapaguesve amerikanë dhe fuqisë së tyre kundër opozitave konservatore në botë.

Shënon fundin e shndërrimit të fondacioneve të superspekulantit, kryekorrupturit dhe kryecensorit të planetit, Soros, de facto në ambasadën në hijie të SHBA-së, së bashku me diplomacinë zyrtare, mbështetën axhendën e ekstremit të majtë, përfshi këtu shndërrimin e sistemit të drejtësisë në degë të ekzekutivit të qeverive të majta, përdorimin e tij njëlloj si në SHBA për persekutimin, arrestimin dhe burgosjen e kundërshtarëve politikë konservatorë.

Mbështetën politikën e pajtimit me krimin, drogën dhe, në rastin konkret, ndërtimin në Shqipëri të narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë.

PD u përball këto vite me përpjekjet korruptive të Edi Ramës dhe Xhorxh Soros kundër saj, me angazhimin direkt të diplomacisë së ndikuar nga Sorosi në persekutimin e udhëheqjes politike të kësaj partie, përpjekjen për shndërrimin e saj në fasadë-opozitë dhe asgjësimin e saj.

Por, me gjithë këto, PD qëndroi dhe është sot e vendosur të bashkëpunojë ngushtë me Partinë Republikane, administratën e presidentit Donald Trump për marrëdhëniet më të ngushta miqësore midis dy vendeve dhe dy kombeve tona.

PD është shumë e inkurajuar nga zotimi i presidentit Donald Trump për të shpallur grupe terroriste të karteleve të drogës. Ky zotim është një mbështetje tejet e çmuar për qytetarët shqiptarë, që përjetojnë narkodiktaturën e Edi Ramës dhe klaneve rajonale e ndërkombëtare të drogës, me të cilat ai ndan pushtetin.

Duke përfunduar, PD si një partnere dhe mike e vërtetë e Partisë Republikane dhe SHBA-së që nga themelimi i saj, i dërgon sot presidentit të 47 të SHBA-ve, Donald Trump, urimet më të përzemërta për sukseset më të mëdha në udhëheqjen e vendosur e vizionare të SHBA-së në interesin më të mirë të vendit, udhëheqës të botës së lirë, miqve dhe aleatëve të tij në mbarë botën”, tha Berisha.

Exit mobile version