Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar drejt Vatikanit për një takim me Papa Françeskun, ndërsa vizita konsiderohet rutinore sipas ish-zëvendësministrit të Punëve të Jashtme, Anton Berisha.
“Vizita e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në Vatikan është e kalkuluar politikisht dhe nuk pritet të ketë ndonjë efekt të madh”.
Kështu ka deklaruar ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Anton Berisha, pasi është bërë e ditur se Kurti do të udhëtojë drejt Italisë të mërkurën, ku një ditë më vonë do të takohet me Papa Françeskun në Selinë e Shenjtë.
Berisha ka theksuar se Kurti nuk e ka marrë me prioritet vizitën në Vatikan gjatë mandatit të tij, por po e bën tani për të treguar se nuk është i izoluar dhe për të përfituar nga propaganda e tij politike.
“Kjo është një vizitë rutinë, zakonisht qeveritë e reja kur krijohen i japin prioritet politikës ndërkombëtare dhe pikërisht bëjnë vizitat e para në ato vendet që duan të lënë shenja përparësie. Kurti nuk e ka bërë, nuk ka mundur ta vizitojë Vatikanin herët gjatë mandatit të tij, por kjo është një vizitë e kalkuluar sikur të gjitha të tjerat që i kalkulon ai politikisht. Dhe është një vizitë në një periudhë të tensionuar në Kosovë, ku ai organizon këtë në dy qëllime. E para për të dhënë mesazhin se nuk është i izoluar dhe për të qenë pak më interesant duke e shfrytëzuar për propagandë të tij”, ka deklaruar ai.
Ai gjithashtu ka vlerësuar se raportet mes Kosovës dhe Vatikanit nuk kanë pasur ndonjë përmbajtje të veçantë në këto vite.
Vizitat e mëparshme, sipas tij, janë konsideruar rutinore, ndërsa Kurti po shfrytëzon këtë moment në një periudhë të tensionuar në Kosovë për të forcuar imazhin e tij.
“Vetvetiu momenti po të kishte prioritet raportet me Vatikanin do ta vizitonte më herët. Vizitat që nga koha kur unë kam qenë ministër i Brendshëm, kanë qenë rutinore dhe ai do të mund ta vizitonte më herët për të treguar një prioritet, por ky e ka bërë në këtë periudhë. Sa i përket efekteve nuk ka, sepse nuk ka pasur asgjë përmbajtjësore gjatë këtyre viteve në raport mes Kosovës dhe Vatikanit”, është shprehur ai.