Site icon Telegrafi

Berisha: Të hënën, revoltë me të gjitha mjetet e mosbindjes civile

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha foli sot për protestën e paralajmëruar nga opozita në 7 tetor, ndërsa u shpreh se “qytetarët do të shprehin revoltën e tyre me të gjitha mjetet e mosbindjes civile”.

“Skenarin e saktë të kësaj proteste do ta merrni vesh ditën e hënë, në ora 18:00. Po në tërësi është konceptuar si një protestë në të cilën qytetarët me protestën e tyre i tregojnë regjimit se janë zotër të këtij vendi”, u shpreh Berisha në një komunikim me mediet.

Sipas tij, beteja e PD-së nuk ndalet deri në krijimin e qeverisë teknike.

“7 tetori do të jetë dita e kthesës së madhe. Do të jetë radha jonë, radha e qytetarëve.
Beteja jonë nuk ndalet gjer në krijimin e qeverisë teknike. Pra, qëllimet tona janë qëllimet më demokratike, në kuptimin që kërkojmë të hapim rrugën për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm, të cilin Edi Rama e ka shndërruar në një farsë të vërtetë. Kërkojmë që Shqipëria të jetë një shtet ligjor, në të cilin ligjet, Kushtetuta dhe të drejtat e opozitës respektohen”, tha Berisha.

Berisha tha se “7 tetori është dita për të hapur dyert për shqiptarët për zgjedhje të lira dhe të ndershme”.

“Thirrja ime është për marshim në Tiranë, për një qeveri teknike dhe zgjedhje të drejta. Kundër dhunës ndaj opozitës dhe arrestimeve politike. Kundër vjedhjeve të pashembullta në historinë e këtij vendi”, u shpreh Berisha.

Exit mobile version