Site icon Telegrafi

Berisha takon Kurtin dhe sulmon Thaçin: Serbët me argatët e tyre nxitën diskutimet për kufijtë e Kosovës (Video)

Ish-Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, pas një takimi me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se serbët bashkë me argatët e tyre në Prishtinë kanë arritur të shtrijnë debatin për ndryshimin e kufijve të Kosovës në gjithë botën.

“Unë pata shumë kënaqësi që bëra një diskutim të zgjeruar me zotin Albin Kurti për të gjitha zhvillimet si në Kosovë ashtu dhe në Shqipëri, shpreha preokupimin tim shumë të madh për faktin se, këtë verë, serbomëdhenjtë në Beograd dhe argatët e tyre në Prishtinë ia dolën të shndërrojnë çështjen e integriteit territorial të Kosovës dhe kufijtë e saj në lajm kryesor rajonal dhe botëror”, tha Berisha.

“Çdo shqiptari dhe çdo qytetari të Kosovës në mënyrë të veçantë, dua t’i them, në mënyrën më të sigurt, se kurrë në karrierën time politike nuk kam patur, pas çlirimit të Kosovës dhe deri sot, nuk kam dëgjuar një shtetar, diplomat, burrështetas, deputet apo të huaj, që të vërë në diskutim kufijtë e Kosovës. Mund të kem patur shumë pretendime, mund të kem ngritur çështje të ndryshme po kurrë kufijtë e saj aktual, kurrë integritetin e saj territorial’, tha ai.

“Ky debat ka vendosur në harrës problemet e vërteta të problemeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Berisha, pas një takimi me Albin Kurtin në Tiranë.

“Ka disa banda në Mitrovicë të Veriut funksionojnë në unison me Beogradin dhe argatët në Prishtinë”, ka thënë ai.

Berisha ka thënë se Presheva po përdoret si “plaçkë tregu” për të realizuar projektin e Serbisë së madhe hap pas hapi.

“U bëj thirrje qyetarëve të Kosovës, u bëj thirrje deputetëve të Kosovës, t’i japin fund kësaj situate dramatike. Nuk ka kush autoritet të diskutojë, të vërë në tavolinë integritetin territorial të Repubilikës së Kosovës. Nuk ka asnjëri tager, cilido qoftë ai, nuk ka kush tagër të diskutojë kufijtë e Kosovës”, ka thënë ai.

Berisha është marrë edhe me një deklaratë të Hashim Thaçit, i cili tha se në vitet 50 Rankoviqi me Titon kishin vendosur kufij Kosovës.

Mirëpo, Berisha ka thënë se janë edhe gjashtë komuna tjera në brendësi të Serbisë që janë territor shqiptar.

“Nuk ka asnjë të drejtë Serbia të pretendojë kufijtë e Kosovës. Nuk ka Kosova asnjë pëllëmbë tokë, as dhuratë nga Tito, as nga Rankoviçi dhe nga askush tjëtër. Përkundrazi, nëse i referohemi historisë, jo verbërisht sipas versionit të Beogradit por historisë së vërtetë, kufijtë e Kosovës kanë bënë ndofta edhe një herë më të mëdha se sa ç’janë sot, por ato ia lëmë historisë, ne marrim kufijtë e Republikës së Kosovës”, tha Berisha.

“Kjo është ide e mirëfilltë e Beogradit, e shtruar tek unë në Selanik nga Vuk Drashkoviç, e propozuar në mënyrë të përsëritur, e kundërshtuar në mënyrë kategorike nga Tirana zyrtare por dhe Prishtina zyrtare. Ndërsa tani na u gdhi si një ide shqiptare. Kjo është një ide serbomadhe, me të cilën asnjë shqiptar nuk duhet t’a mbështesi”, tha ai.

Në takimin me Berishën, Albin Kurti ka thënë se bashkë me LDK-në do ta ndalin projektin e Presidentit Thaçi për ndryshim të kufijve në Ballkan.

Në takimin e së premtës mbrëma te ish-lideri i PD-së, bashkë me kreun e Lëvizjes Vetevendosja, Albin Kurti ishte edhe deputeti Liburn Aliu. /Telegrafi/

Exit mobile version