Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha sulmoi edhe një herë Kryeministrin Edi Rama për atë që ndodhi në Samitin e Bashkimit Europian për Ballkanit Perëndimor javën e kaluar.
Në fjalën e tij gjatë mbledhjes së kryesisë së PD-së, Berisha u shpreh se Rama shkoi në Bruksel si përfaqësuesi i Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe përdori gjuhë e Presidentit të Rusisë , Vladimir Putin.
“Samiti i Brukselit zbuloi para çdo shqiptari se Edi Rama shkoi atje si përfaqësuesi i Vuçiçit dhe Beogradit. Përdori një gjuhë ordineri, që mund ta përdorë vetëm Lavrov, apo Putin e Lukashenko, ndaj udhëheqësve të Bashkimit Europian, sepse të gjitha i ka porosi të Beogradit”, tha Berisha.
“Sulmoi Bullgarinë, një vend që ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se voton për hapjen e negociatave me Shqipërinë. Një vend mik që ka qenë një nga avokatet kryesore në Gjykatën e Hagës kur është gjykuar çështja e pavarësisë së Kosovës, duke i bërë një mbrojtje të shkëlqyer. Duhet të jesh si Edi Rama që të sulmon një vend që tradicionalisht ka vetëm qëndrime miqësore ndaj shqiptareve. E bën kryekëput për llogari të Beogradit”, u shpreh Berisha. /Telegrafi/