Telegrafi

“Berisha me shumë oferta nga Bundesliga dhe Liga Premier”

Pavarësisht se po bën një super sezon me Atalantan, e ardhmja e Etrit Berishës mbetet ende në dyshime.

Kartonin e portierit shqiptar e ka në pronësi skuadre e Lazios, e cila dëshiron që ta përfshijë në bisedime për të blerë sulmuesin Alberto Paloschi nga bergamaskët.

Ndërkohë, Atalanta ka të drejtën e blerjes së kartonit të Berishës në fund të sezonit dhe me shumë gjasa do ta bëjë këtë megjithatë. Por, pavarësisht kësaj ende shumë gjëra janë të paqarta se si do të përfundojë kjo marrëveshje mes palëve.

Tashmë kur po afron edhe fundi i sezonit, është menaxheri i Berishës ai që “ndez” situatën.

Federico Pastorello në një intervistë për mediat italiane është shprehur se klienti i tij ka shumë oferta, madje nga kampionati prestigjoze si Bundesliga dhe Liga Premier.

“Ai po bën pikërisht atë që të gjithë prisnin prej tij. Atalanta ka të drejtën e blerjes për një shumë mjaft të rëndësishme. Por ai ka shumë treg, sidomos jashtë, në Bundesligë dhe në Ligë Premier”, ishin fjalët e Pastorello, menaxherit italian të Etrit Berishës.