Ish-presidenti dhe ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, i ka quajtur tendencioze akuzat me të cilat Britania e Madhe e ka shpallur person non grata (të padëshirueshëm).
Përmes një postimi në Facebook, Berisha ka bërë të ditur se i ka shkruar letër ambasadorit britanik në Tiranë, Sir Alastair King-Smith, përmes së cilës i ka kërkuar që “çdo provë, fakt apo dokument, që dispononi apo që mund të siguroni, nga kushdo në botë, t’i paraqisni pranë gjykatave shqiptare apo britanike”.
“E gjej tendencioz dhe absurd përdorimin për akuza ndaj meje të emrit të një qytetari britanik, i cili nuk ka qenë kurrë i dënuar në vendin tim, dhe në dijeninë time as në vendin tuaj, dhe që nuk ka përfituar kurrë as dhe një cent nga qeveria ime, dhe që pas largimit tim nga pushteti ka vazhduar të bëjë investime të rëndësishme në Shqipëri”, ka shkruar Berisha.
“Me këtë rast ju vë në dukje se përdorimi për të me akuzuar mua për korrupsion i emrit të një qytetari britanik, i cili nuk ka qenë kurrë i dënuar në vendin tim, dhe në dijeninë time as në vendin tuaj, përbën një fyerje për çdo shqiptar, për çdo britanik, për çdo evropian, për çdo amerikan dhe për çdo qytetar të botës që beson në prezumimin e pafajësisë, parim i sanksionuar qe nga Magna Carta, dhe pas saj në të gjitha dokumentet e tjera ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, por që Ju ua mohoni një qytetari të vendit Tuaj, me qëllim shpifjen ndaj një personi tjetër”.
Berisha njoftoi vetë dje se është shpallur non grata edhe nga Britania.
Arsyetimi që ai kishte marrë për këtë vendim ishin “lidhjet me grupet e krimit të organizuar dhe kriminelë të cilët kanë paraqitur një rrezik për sigurinë publike në Shqipëri e Britani dhe korrupsioni”. /Telegrafi/