Telegrafi

Berisha: Regjimi nuk ikën me votë, të përgatitemi për mosbindje civile

Protestat e shkurtit dhe përgatitjet për tubimin e tre marsit, për Kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha janë fillimi i mbarë i revolucionit për të larguar kryeministrin Edi Rama nga pushteti.

Në mbledhjen me drejtuesit politik të PD në qarqe, Berisha foli për një revolucion paqësor, por duke filluar aplikimin më tepër të mosbindjes civile.

“Por revolucioni paqësor nuk është vetëm revolucion i protestave paqësore. Është revolucion i mosbindjes civile para të gjithash. Ne duhet të përgatitemi. Mosbindja civile është element thelbësor i revolucionit paqësor. E ka thënë Mahatma Gandi: është e shenjtë!”, theksoi kryedemokrati.

Berisha kërkoi mobilizim për aksionin opozitar, por duke paralajmëruar se revolucioni është e vetmja mënyrë për largimin e Ramës, pasi me votë tashmë një gjë e tillë nuk është më e mundur.

“Mund ta shpëtojmë vetëm duke u bashkuar. Ky regjim nuk ikën ndryshe. Nëse ndonjë mendon se ky ikën me votë, personalisht nuk besoj se ikën me votë. Çdo ditë tregon se ky shtetin mafioz po e shndërron gjithnjë e më shumë në makineri mafioze elektorale”, u shpreh ai. /Telegrafi/