Telegrafi

Berisha: Rama ka urdhëruar forcat speciale të Gardës të shtypin revoltën opozitare në Kuvend

Ish-kryeministri Sali Berisha, ka deklaruar se seanca plenare e ditës së hënë (20 nëntor), pritet të jetë e rrethuar nga forcat speciale me urdhër të kryeministrit Edi Rama.

Në një reagim në rrjetet sociale, Berisha shkruan se Rama është i tmerruar nga mosbindja civile e deputetëve të opozitës.

Sipas tij, Rama ka urdhëruar forcat speciale të Gardës, Policisë, RENEA-n që të shtypin revoltën e deputetëve të opozitës.

Më tej Berisha shprehet se kryeministri “ka parashikuar që me forcë, dhunë dhe terror të kalojë në Parlament buxhetin e vjedhjes më të madhe dhe gjobave më të rënda për qytetarët në historinë e vendit, e të miratojë buxhetin antiligjor, antikushtetues, të Zoom-it dhe mejhaneve”.