Site icon Telegrafi

Berisha, qeverisë dhe presidentit: Lejoni deputetët të vendosin vetë për Demarkacionin

Sekretari organizativ dhe deputeti i AAK-së, Ali Berisha ka reaguar lidhur me marrëveshjen e Demarkacionit.
Berisha përmes një reagimi dërguar medieve ka thënë se qëndrimet e zyrtarëve nënshkrues të marrëveshjes për demarkim të kufirit me Malin e Zi, dëshmojnë hapur se janë në panik për ratifikim.

“Deputetët e parlamentit tonë, janë të vetëdijshëm se kjo marrëveshje nuk duhet ratifikuar, sepse si e tillë po e humb territorin e vet me mbi 8.8 mijë hektarë. Presionet publike dhe tendencat për të krijuar amulli në opinion, tregon se kjo është vetëm lojë politike, për t’ia zgjatur jetën vetvetes në pushtet, në të kundërtën, vota kundër kësaj marrëveshje dëshmon qartë se deputetët janë përfaqësuesit e popullit dhe si të tillë ata mbrojnë sovranitetin dhe integritetin e vendit”, thuhet në reagimin e Berishës.

Ai ka shtuar se populli e ka kuptuar se komisioni qeveritarë ka gabuar me ketë marrëveshje.

“Mos ratifikimi i kësaj marrëveshje i hapë rrugë një procesi të ri demokratik të rinegocimit, që në mënyrë të pavarur ta zgjidhë ketë kontest ndërshtetërorë. Shembujt e shumtë në ish-Jugosllavi dëshmojnë se kontestet ndërkufitar në mes të shteteve nuk janë pengesë për integrime euroatlantike qe janë synim i vetëm i popullit të Kosovës”, ka thënë Berisha.

Berisha ka theksuar se presidenti dhe qeveria duhet t’i lejojnë deputetët të votojnë lirshëm dhe pa presione./Telegrafi/

Exit mobile version