Telegrafi

Berisha: Qeveria mos të bie pre e provokimeve të projektuara në Beograd e Moskë, ato nuk e trembin asnjë kosovar

Kryetari i Komisionit për Siguri nga radhët e AAK-së, Bekë Berisha ka folur për situatën në veri të vendit, pas vendosjes së reciprocitetit për targa me Serbinë.

Berisha në një konferencë për media ka thënë se Policia e Kosovës në dy pikat kufitare Jarinë dhe Bërnjak është duke e zbatuar ligjin.

Ai ka thënë se provokimet e Serbisë në kufi nuk e trembin asnjë kosovar.

“Demonstrimet në kufi nga forcat serbe nuk e trembin asnjë kosovar. Kosova ka rini dhe ka njerëz atdhedashës që i dalin zot vendit sa herë që ka nevojë”, ka thënë Berisha.

Deputeti i AAK-së, më tej ka shtuar se Qeveria e Kosovës nuk duhet të bie pre e provokimeve të serbëve në veri.

“Qeveria duhet të jetë e vendosur dhe të mos bie pre e provokimeve të serbëve në veri, provokime këto që janë të projektuara në Beograd dhe Moskë. Qeveria e Kosovës duhet të jetë e vendosur në mbrojtjen e qenësisë së saj”, u shpreh Berisha.

Berisha theksoi se gjendja e sigurisë në vend është në kontroll të plotë nga institucionet e sigurisë, dhe se komisioni po vazhdon mbikëqyrjen e punës së këtyre institucioneve. /Telegrafi/