Kryetari i Fushë Kosovës, Burim Berisha në emisionin “Zyra e Ankesave”, në RTV Dukagjini ka folur për problemet me energji elektrike dhe ujë.
Berisha tha se në fillim të vitit 2019, do të rregullohet problemi i ujit në këtë komunë, ndërsa për energjinë elektrike sipas tij, duhet pritur përfundimi i një projekti të madh që është duke u ndërtuar.
“Ka qenë një ndërprerje më herët sepse është duke u bërë ndërtimi. Është një projekt shumë i madh. Janë duke u zgjidhur problemet e ujit dhe të rrymës. Problemi i ujit po zgjidhet”, ka thënë Berisha.
Po ashtu ai foli edhe për ajrin e ndotur ku sipas tij, ajri i ndotur është më i lartë në Prishtinë sesa në Fushë Kosovë.
“Më pak është ajri i ndotur në Fushë Kosovë. Ne jemi në rrymim të ajrit në rrafshin e Fushë Kosovës”, theksoi Berisha.
Sipas tij, në festat e fund vitit nuk do të ketë zbukurime në këtë komunë.
“Jo nuk do të ketë ndriçim për Vit të Ri. Nuk e di as vet. Një kohë të caktuar ishte situata e fukarallëkut, dhe e lamë atë punë krejt”, ka thënë kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Burim Berisha. /Telegrafi/