Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha gjatë një konferencë për mediat u shpreh se procesi i primareve të mbajtura më 1 Mars ishte procesi më demokratik që Shqipëria ka njohur ndonjëherë.
Berisha ka përgëzuar të gjithë anëtarët e PD që ushtruan të drejtën e votës si dhe të gjithë ata që morën pjesë në këtë proces.
“Duhet të ndalem në dy ngjarje të mëdha për jetën politike të Shqipërisë. Mendoj se primaret që u zhvilluan ditën e diel në Shqipëri ishin procesi më demokratik që Shqipëria ka njohur ndonjëherë. Në këtë garë të hapur u regjistruan mbi 450 kandidatë. Në këtë garë të hapur morën pjesë qindra e qindra kandidatë. Ushtruan të drejtën e votës rreth 51 mijë anëtarë të PD-së, votimi më i madh që nga viti 2013. Dua me këtë rast të përgëzoj të gjithë ata të cilët morën pjesë në këtë proces. Të përgëzoj kandidatët për guximin dhe vendosmërinë e tyre për të marrë pjesë në garë si përfaqësues të PD në zgjedhjet e ardhshme. Të përgëzoj të gjithë anëtarë të PD që ushtruan të drejtën e votës dhe votuan për kandidatin që ata vlerësojnë më shumë”, shprehet Berisha.
Berisha ndër të tjera ka siguruar demokratët dhe të gjithë shqiptarët se ky votim përbën bazën më demokratike të përzgjedhjes së kandidatëve të PD-së për deputet.