Site icon Telegrafi

Berisha me porosi për deputetët dhe mbështetësit e PD-së, pritet protest para PE-së

Që në nisje të tetorit, opozita është në një lëvizje që e quan “aksion i mosbindjes civile,” duke organizuar një protestë në formë marshimi nëpër Tiranë dhe disa akte tensioni dhe përplasje në Kuvend.

Por kjo nuk do të ndalet këtu. Në një mesazh të shpërndarë strukturave drejtuese të Partisë Demokratike nga Sali Berisha, mësohet se ai ndalet në 6 pika kryesore. Berisha kërkon një prani të shtuar në media nga përfaqësuesit e PD, duke theksuar se duhet pasur kujdes në raportin që drejtuesit e partisë kanë me gazetarët.

Kryedemokrati orienton të tijtë që përballjet televizive t’i bëjnë vetëm me përfaqësues të PS, duke evituar debatet me deputetë apo funksionarë të lëvizjeve opozitare që kanë dalë si derivate nga PD.

Një apel shumë i rëndësishëm nga Berisha është përqendrimi te mediet sociale dhe shtimi i pranisë aty.

Mesazhi i Berishës përfshin edhe faktin se shumë shpejt një grup deputetësh, anëtarë të grupit parlamentar demokrat, do të shkojnë për të protestuar para Parlamentit Evropian në Bruksel.

Në këtë nismë që pritet të organizohet më datë 22 tetor, Partia Demokratike do të kërkojë ndihmë dhe prani nga përfaqësues të Diasporës.

Mesazh drejtuar: Drejtuesve të qarqeve, anëtarëve të Kryesisë së PDSH, Deputetëve, Qeveritarëve vendorë, anëtarëve të Këshillit Kombëtar, Kryetarëve, Sekretarëve për Marrëdhëniet Publike dhe zëdhënësve të degëve të PDSH.

Mirëmbrëma dhe përshëndetje.

Me këtë mesazh në këtë vit elektoral duhet:

1-Të shfrytezohet çdo mundësi dhe njohuri dhe lidhje për të qenë të pranishëm në debate, konferenca shtypi, prononcime në mediat qendrore dhe lokale.

2-Të mbahen marrëdhëniet më korrekte me gazetarët, dhe analistët.

3-Si parim nuk shmanget asnjë debat me socialistët!

4-Nuk zhvillohet asnjë debat me opozitarët e opozitës. Mos harroni se Edi Rama dhe mediat e kontrolluara prej tij, kërkojnë të zëvendësojnë në debate deputetët dhe ministrat socialistë të diskretituar dhe mëkatar deri në veshë, me opozitar të opozitës, kryetar pa parti, pra të zhvendosin debatin midis opozitës dhe kallp opozitës. Ndaj dhe njëherë cilido që t’ju ftojë në debat me gazetarë, analistë apo përfaqësues të PS nuk duhet të refuzohet. Në asnjë debat me figura kallpe dhe individë të marrë peng nga regjimi për krimet e tyre nuk duhet të marrim pjesë.

5- Para se të shkoni në studio për debat duhet të njoftoni zyren e shtypit, të kërkoni të dhena për çështjet në debat dhe në rast se ka mesazh dite për ju do t’jua nisë!

6- Më e rëndësishmja të kujtohi çdo orë dhe çdo ditë se studio, valët dhe ekrani pa asnjë censurë për ne janë vetem rrjetet tona sociale: Facebook, Instagram, X të cilat çdo orë dhe çdo ditë duhet të kenë vendin më kryesor në komunikimin tonë me qytetarët dhe betejën tonë me narko-regjimin e Edi Ramës!

O sot, o kurrë! Është rradha jonë! Fitore!

Exit mobile version