Kryetari i PD, Sali Berisha i cilëson akuzat e ngritura ndaj tij si politike dhe se SPAK vepron me urdhër të kryeministrit Edi Rama.
Në emisionin “Opinion”, Berisha tha se beteja e tij nuk është veten, por për mbrojtjen e sovranitetit të vendit.
“Një akt fund e krye politik të Edi Ramës. Mund të urdhërojë kush të dojë po unë kurrë “yes man” në shkelje të Kushtetutës, në shkelje të ligjit të vendit, nuk bëhem. E gjithë beteja ime që bëj nga data 9 shtator deri sot është betejë që bëj për mbrojtjen e sovranitetit të këtij vendi”,-tha Berisha.
Berisha foli ndër të tjera edhe për zgjedhjet parlamentare 2025.
Sipas kryedemokratit, fitorja e zgjedhjeve nga opozita do të shoqërohet me një referendum, ku do të jetë vota e qytetarëve që do të zgjedhin dhe kryeministrin e ardhshëm.
Berisha u shpreh gjithashtu se fton cilindo që dëshiron të sfidoj kryetarin e Partisë Demokratike në votën e qytetarëve.
Nëse PD fiton, do jeni ju kryeministër apo do të delegoni dikë tjetër?
Sali Berisha: Unë e kam sqaruar dhe po e përsërisë: Fitorja e Partisë Demokratike dhe e koalicionit do të shoqërohet me një referendum për kryeministrin e ardhshëm. Pavarësisht se Sali Berisha është arkitekt i fitores, përsëri ai gjykon që të pyeten shqiptarët. Do të ftoj unë cilindo që dëshiron të sfidoj Sali Berishën në votën e qytetarëve për kryeministër. Kjo është një risi moderne për funksionimin e një opozite.