Telegrafi

Berisha paralajmëron pjesëmarrje të madhe në protestën e datës 7 korrik: Shqiptarët do të mbushin Bulevardin

Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha ka folur sot për protestën të thirrur nga opozita që pritet të organizohet ditën e nesërme (7 korrik) në Tiranë.

Në një takim me përfaqësues të shoqërisë civile, Berisha tha se protesta do të jetë “epike” për nga pjesëmarrja dhe qëllimet e saj, ndërsa shtoi se Kryeministri Edi Rama nuk meriton të qeverisë as edhe një ditë më shumë.

“Do të mbushet Bulevardi në një protestë epike do të thosha, në një protestë të një rëndësie jetike për Shqipërinë pasi siç del çdo orë dhe çdo ditë, Edi Rama dhe ekipi i tij abuzon me liritë, me financat, me qenien, me dinjitetin e qytetarëve shqiptarë”, ka thënë kreu i opozitës.

“Temperaturat janë të larta, por më e lartë është edhe urrejtja popullore për këtë dhunues të kauzave, të lirive. Gjithçka lidhet me liritë e qytetarëve shqiptarë, me qenien e tyre”, ka thënë Berisha, duke shtuar se “kjo qeveri nuk meriton të jetë në pushtet as edhe një ditë të vetme.” /Telegrafi/