Narkoshteti në Shqipëri është pengesa kryesore e integrimit të Shqipërisë në BE. Kështu është shprehur kreu demokrat Sali Berisha në një prononcim për mediat në Podgoricë, gjatë samitit të Partive Popullore Evropiane (PPE).
Në fjalën tij kryedemokrati theksoi se në samit ai ka paraqitur realitetin shqiptar dhe pikëpamjet e Partisë Demokratike mbi proceset e integrimit të Shqipërisë dhe rajonit.
“Shqipëria si narkoshteti i parë dhe i vetëm në Europë, është jo tërësisht i njohur si i tillë, por unë mendoj se, po kontribuohet gjithnjë e më shumë për të bërë të njohur para elitës politike të qendrës së djathtë Europiane dhe më gjerë, realitetin shqiptar. Më dëgjuan me shumë interes. Mora komente shumë pozitive nga të pranishmit për diskutimin që pata. Ishte një diskutim i hapur, natyrisht isha i vetmi opozitar në panel, pasi të tjerët përfaqësonin qeveri. E thashë që në fillim se unë, përfaqësoj opozitën dhe kam pikëpamje të ndryshme lidhur me ngadalësinë e procesit të integrimit që është tërësisht nga faktorë kryekëput pothuajse, nga faktorë lokalë. Nga mosrespektimi i standardeve demokratike, nga penetrimi i thellë i krimit në qeverisje. Në Shqipëri konkretisht narkoshteti, nga përdorimi i terrorit politik për të marrë vota dhe mandate. Pra paraqita realitetin shqiptar siç është”.
I pyetur se si u prit rikthimi i tij në EPP pas shumë kohësh, Berisha u përgjigj: “U prit në mënyrë të shkëlqyer. Ky rikthim i llojit të tij është epik, ndaj dhe miqtë e vjetër i takova dhe më përgëzuan. Natyrisht edhe vendosmëria e tyre. Shqipëria nuk është ajo që ishte. Njohuritë për Shqipërinë janë krejt të tjera sot. Edi Rama do t’i ketë kohërat të pamundura të manipulojë, siç ka manipuluar gjer sot opinionet”.