Sulmuesi i Melbourne Victory, Besart Berisha, po e shqyrton marrjen e shtetësisë australiane para fillimit të edicionit të ardhshëm në A-League.
Ai gjithashtu po shpreson të jetë pjesë e Shqipërisë në “Euro 2016”, por mundësia e pajisjes me pasaportë të Australisë është më e realizueshme për të, tash për tash.
Në rast se bën një gjë të tillë Berisha, atëherë Melbournet do t’i lirohej një vend për futbollistë të huaj për shkak se në A-League asnjë skuadër nuk mund t’i ketë më shumë se pesë të huaj, shkruan AAP.com.au.
Berisha, i cili do të nisë kampanjën e gjashtë në A-League në edicionin e ardhshëm pas tri edicioneve te Brisbane Roar dhe dy tjera te Melbourne Victory, ka thënë se është shumë i interesuar për shtetësinë australiane.
“Tashmë pesë vjet jam këtu dhe po e shijoj çdo moment prej ditës së parë kur kam ardhur. Do të kisha dashur të jem australian dhe kjo është e rëndësishme për mua, pasi po ndihem mirë. Nëse kam mundësinë, atëherë do ta marr shtetësinë dhe mendoj se është mirë të jesh australian”, ka thënë Berisha.