Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha e ka konsideruar projektligjin për disa ndryshime në ligjin për Dosjet e Sigurimit të Shtetit të aprovuar dje në Parlament si një lëizje kundër ish-presidentit Ilir Meta.
Në një komunikim me gazetarët, Berisha e ka quajtur ligjin si “gjah shtrigash”.
“Hapja e debatit për ligjin e gjahut të shtrigave për Ilir Metën, se ai është amendament anti-Meta. Ne menduam të rikthejmë ligjin e lustracionit, por edhe shoqëria kërkon që ata që kryejnë krime, të mos jenë në funksione zyrtare të rëndësishme, kjo është pritshmëria. Këtë nuk pranon Edi Rama dhe u zotua se kurrë nuk do ndodhë. Ç’farë ndodh sot? A ka në Shqipëri element të lustracionit, po”, ka thënë Berisha.
“Ligji i Policisë së Shtetit dhe drejtësisë po këto janë letër e vdekur. Asnjë nuk është larguar pse ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit. I pari që duhet të largohet është ish-prokurori, Ardian Dvorani, por ka edhe të tjerë. Ligji ekziston. Ligji për lustrimin e sistemit të drejtësisë e policisë, nuk kanë asnjë zbatim. E rëndësishme është të bëjmë një ligj për gjah shtrigash”, ka shtuar me ironi Berisha.
“Ne kemi dorëzuar këtë ligj dhe presim të paraqiten në parlament. I qëndrojmë de-komunistizimit dhe hapjes së dosjes për çdo individ. Nuk jemi kurrë për gjah shtrigash të bësh një ligj për një njeri. Nuk jemi për shkatërrimin e sigurisë kombëtare. Se nëse thua nuk njoh dy komisionet e mëparshme, kur ata nuk anulohen për asnjë tjetër përveç se në gjykatë”, ka shtuar Berisha.
“Nëse vijojmë praktikë gangsterësh ju garantoj se nesër ata mund të kalojnë një nen tjetër për pronat, pasuritë private. Nuk ka shtet që e bën këtë përveç se Juntat”, tha Berisha.
“Përdor këto mekanizma si rrugë ndaj kundërshtarëve politikë, por që do dështojë. PD është plotësisht për hapjen e dosjeve, kjo është e palëkundur. Askush nuk mund të pengohet të njihet me dosjen e tij të padisë persekutorin e tij. Ne gjykojmë se lustracioni, nga funksionet drejtuese për një periudhë kohe të caktuar, është e domosdoshme. Ata që kanë persekutuar duhet të largohen, ajo që bëri mbrëmë Rama është për gjah shtrigash. Nuk biem në kurth”, u shpreh Berisha. /Telegrafi/