Sali Berisha komentoi sërish vendimin e Gjykatës Kushtetuese për dy masat e para të sigurisë ndaj tij. Gjatë bashkëbisedimit periodik me gazetarët, lideri i opozitës pohoi se trupa prej 8 anëtarësh u bë pjesë e grushtit të shtetit për rrëmbimin e kompetencave të parlamentit.
“Për të mbrojtur grushtin e shtetit, përvetësimin e pushtetit të parlamentit për llogari të kryeministrit nga mercenarë, gjyqtarë dhe prokurorë, shkoi gjer në shkallën absurde të shpallë lirinë e lëvizjes si, jo një liri individuale”.
Numri një i Partisë Demokratike pohoi se vendimet e Gjykatës Kushtetuese diktohen nga SPAK, pasi sipas tij prokuroria speciale kërcënon me përgjime dhe video të gjithë gjyqtarët.
“Shqiptarët duhet ta dinë, se afërmendshi regjistron dhe ka përdorur dhe përdor të gjitha mënyrat për të marrë peng gjykatës dhe prokurorë të tjerë. Ky përdor, të gjitha praktikat antiligjore, si presione, përfshi edhe ato që i ndalon ligji, çështjet intime dhe çështjet familjare”.
Berisha konfirmoi se betejën e tij ligjore do të vijojë në Strasburg, por shtoi se demokratët do të dalin sërish në shesh, për aktin e katërt të mosbindjes civile në 26 nëntor.
“Ftoj shqiptarët me datë 26, marshim në Tiranë. E gjithë Shqipëria në Tiranë”./A2 CNN