Site icon Telegrafi

Berisha: Jemi në mision që të shpëtojmë Shqipërinë

Pasi u zgjodh kryetari i ri i Partisë Demokratike, ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se procesi zgjedhor në PD “do të regjistrohet si mrekullia e vërtetë e shekullit XXI”.

Në një fjalim nga selia blu, Berisha u shpreh i përulur dhe mirënjohës për të gjithë ata që votuan.

“U krye! U krye jo zgjedhja e Sali Berishës, por mrekullia e vërtetë e Shqipërisë në shekullin XXI. Jam i përulur dhe jam shumë mirënjohës për të gjithë ata që në një hark kohor të shkurtër ngadhnjyen si njerëz të lirë, në një proces që do të regjistrohet si mrekullia e vërtetë e shekullit XXI”, u shpreh Berisha.

Lexo po ashtu Pas nëntë vitësh Sali Berisha rizgjidhet kryetar i PD-së

“31 vite më parë, një mik i madh i kombit tonë, në vizitën e tij historike, Jim Baker, do u thoshte shqiptarëve se do të ishin të lirë që të zgjidhnin udhëheqësit e tyre. Anëtarët e Partisë Demokratike, njerëz të lirë të këtij vendi, bënë historinë në një proces të mrekullueshëm, ndaj dhe mirënjohja shkon drejt të gjithë atyre”, tha Berisha në fjalimin e fitores.

“Mirënjohje për të gjithë anëtarët që sot lanë të gjitha detyrimet e tyre dhe votuan për të zgjedhur kryetarin e Partisë Demokratike. Ky besim i jashtëzakonshëm i tyre është për mua detyrim i madh, por kam bindjen se së bashku do t’ia dalim. Jemi në një mision që të shpëtojmë Shqipërinë nga një regjim që kurrë nuk e meriton”, shtoi Berisha. /Telegrafi/

Exit mobile version