Telegrafi

Berisha: Hungaria skuadër e fortë, por ne futemi për fitore

Shqipëria pësoi humbje tri ditë më parë në udhëtim te Polonia, por kjo disfatë nuk i ka shuar ëndrrën për kualifikim.

Kapiteni i Kombëtares së Shqipërisë, Etrit Berisha ka folur për përballjen e radhës, ku kuqezinjtë përballen me Hungarinë.

Shqipëria do të takohet me Hungarinë të dielën me fillim nga ora 18:00, derisa kapiteni Etrit Berisha ka folur për këtë përballje.

“Jemi të vetëdijshëm për lojën e bërë, bëmë gjëra të mira, por duhet të shmangim disa gabime. Te golat e pësuar nuk ishim të vetëdijshëm për ato momente. Të mësojmë nga gabimet, nga golat e pësuar. Duhet të merrnim më shumë me lojën e bërë. Do mundohemi të japim më shumë ndaj Hungarisë dhe të kthehemi te fitorja”.

“Me siguri që është një ndeshje shumë e rëndësishme për të dyja ekipet. Edhe me Poloninë ishte e rëndësishme. Kemi mundësinë, që nëse fitojmë ta vazhdojmë ëndrrën tonë. Është vendimtare për ne, për Hungarinë dhe ndoshta edhe për Poloninë”, tha Berisha.

Berisha thotë se Hungaria është një Kombëtare e fortë, por do të futen në fushë për ta marrë fitoren e radhës.

“Pas ndeshjes e dinim çfarë kishim bërë, të mirat dhe të këqijat. Kjo ndeshje do të thotë shumë dhe jemi të motivuar të luajmë mirë dhe të fitojmë. Një fitore do na jepte besim për vazhdimësinë”.

“Mendoj që kombëtarja jonë ka bërë një hap të rëndësishëm, duke parë lojërat që janë më të mira. Kemi personalitet në lojë, bëjmë gjëra të mira. Duhen eliminuar disa gabime që shmangen. Hungaria është ekip i fortë, por nesër do të jetë një ndeshje e veçantë për të dyja ekipet. Mendoj se për ne është një ndeshje shumë e rëndësishme. Respekt për Hungarinë, por do të futemi në fushë për fitore”, deklaroi Berisha në konferencën për shtyp. /Telegrafi/