Telegrafi

Berisha flet për projektin e portit të Durrësit: Nuk është parë plaçkitje e tillë në Shqipëri

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka deklaruar për mediat së kurrë në Shqipëri nuk është regjistruar një plaçkitje e tillë e një prone publike si ajo e portit të Durrësit, vlera e të cilit është të paktën 3 miliardë euro.

Në një komunikim me gazetarët, Berisha është shprehur se bëhet fjalë për shkatërrimin e një porti shekullor.

“I gjithë përqendrimi ynë duhej të ishte te buxheti, që përbën normalisht procesin, problemin më kryesor vjetor të një vendi normal. Por kur konstaton se, me një ligj superurgjence, vidhen dy buxhete, kemi të bëjmë në total me shumë miliardë plaçkitje dhe grabitje, kemi të bëjmë me grabitje, vjedhje nga Edi Rama dhe enturazhi i tij më të madhen e këtij vendi të pronës publike,” – u shpreh Berisha.

Sipas tij bëhet fjalë për një gjobë prej 2 miliardë eurosh që do i vihet shqiptarëve.

Ai tha më tej se Rama po shkatërron portin shekullor dhe tashmë transporti do bëhet nga Mali i Zi dhe Greqia.

“T’i shkatërrosh vendit portin shekullor, do të thotë të gjobisësh vetëm me transport, qindra e miliona, në mos miliarda euro në vite. Vetëm me transport, i cili do bëhet nga Mali i Zi, portet e Greqisë, dhe pjesërisht nga Vlora. Edhe ajo jo, se ajo është pa port”, shtoi Berisha.

“Të shkulësh portin shekullor, për të cilin është projekti, investimi dhe çdo gjë, dhe të gjobisësh qytetarët shqiptarë me të paktën 2 miliardë euro që kërkon ndërtimi i portit të ri në Porto Romano, sipas specialistëve, dhe që duhet të ndërtohet sipas pronarit të Dubai City në Durrës, duhet të ndërtohet në Porto Romano, sepse ai kërkon që gjithë gjirin e portit ta shndërrojë për jahtin e tij, jahtin e Çuçit të familjes së tij, jahtet e familjarëve,” the kreu i PD-së
“Kjo është e faktuar, cilido i them të referohet se çfarë pësoi porti i Bejrutit. E njëjta skemë. Një mori pallatesh dhe porti para për jahtet e pasunikëve të Bejrutit”, tha Berisha. /Telegrafi/