Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi në Forumin e IX-të Global në Baku të Azerbajxhanit se Aleksandar Vuçiq po e mban pezull konfliktin që ka me Kosovën, ndërsa kujtoi zotimin e Presidentit serb në parlament pak ditë më parë.
Teksa kujtoi vizitën e Vuçiq në veri të Kosovës para tre vitesh, Berisha theksoi se ky i fundit e tha haptas se Serbia do të zgjerohet e do bëhet më e madhe.
Sipas Berishës, Serbia nuk kërcënohet nga askush ndërsa për furnizimet e saj me armë kineze e ruse, kreu i PD e sheh si shqetësim të madh.
“Tre vite më parë, Vuçiq vizitoi veriun e Kosovës, dhe për tre ditë me radhë në çdo takim u shpreh haptas se Serbia do zgjerohet dhe do bëhet më e madhe”, tha Berisha.
Kreu i PD-së kujtoi se Vuçiq u betua para dy javësh para parlamentit duke u zotuar se do të mbronte sovranitetin e Serbisë përfshirë Kosovën.
“Kjo do të thotë që konflikti të mbahet pezull. Nëse qëndron kështu e mban konfliktin të vazhduar. Por nëse atje shkojnë armë ruse dhe kineze, në atë kohë që Serbia kërcënohet nga askush, askush nuk e kërcënon Serbinë sot, jam tërësisht i bindur për këtë, mendoj se kjo që po ndodh është shqetësuese”, tha Berisha.
Ai ka shtuar se një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë është thelbësore. /Telegrafi/