Site icon Telegrafi

Berisha, Edi Ramës: Ne të dy jemi armiq, boll vodhe, ik

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Sali Berisha, në fjalën e tij para protestuesve para Kryeministrisë në Tiranë tha se ai dhe Edi Rama janë armiq.

“Edi Rama, ne të dy jemi armiq, është e rëndë ta them këtë por zemra ime fjalë tjetër nuk nxjerr. Ti do vetëm pushtetin kurse unë me këta bura, gra, djem e vajza kemi parim lirinë dhe vetëm lirinë”.

“Ne jemi armiq Edi Rama sepse ti pushtetin e do për të pasuruar veten duke varfëruar e poshtëruar qytetarët ndërsa unë dhe këta protestues këtu, lirinë e duan për të bërë të lirë shqiptarët, për t’iu kthyer atyre dinjitetin”, deklaroi Berisha.

Berisha ka shprehur mirënjohje për “djemtë dhe vajzat, gratë e burrat që lanë gjithçka dhe u bashkuan në protestë, duke u bërë burim drite, dielli, shprese për mbarë shqiptarët”.

“Unë kam një fjalë…Edi Rama, jemi sot këtu për t’u betuar për këtë flamur, para flamurit të kombit se votën kurrë nuk ta falin, pushtetin mbi votën e vjedhur, kurrë nuk ta njohim. Mos luaj me votën sepse jemi të vendosur të mos pranojmë kurrë. Të bëjmë çdo sakrificë që të votohet me dinjitet e liri. Edi Rama, ti këto kohë, këto vite je treguar armik i fjalës së lirë.

Lexo po ashtu “Shqipëria në rrezik”, demokratët kërkojnë largimin e Ramës

“U flet me gjuhë të padenjë gazetarëve vetëm se ata bëjnë punën e tyre. Fjala e lirë do të jetë motoja jonë. Ata që guxojnë ta prekin do të mjerohen. Në këtë shesh, të cilësuan hajdut, vjedhës, po e vërteta është se nuk do të doja të flisja për hajdutë e vjedhës, por më thuaj pak zotrote çfarë mund të të them unë ty, kur sarajet e Surrelit i ndërtove kur kishte 2-3 mijë euro të deklaruara. Një herë thua i kam para emigracione, para të nxjerra nga “Kurbani”. Çdo qindrakë e tyre është hajni. Ti me firmat e tua s’i ke gjë dhjetëshet, ti luan me qindra miliona”.

“Këto ditë doli se nga 60 mln euro për djegësin e Tiranës, nuk është ndërtuar asgjë, paratë kanë përfunduar në konto pensionistësh. Boll vodhe, ik. Shqipëria është në rrezik. Edi Rama ka një urrejtje gjenetike ndaj shqiptarëve sepse i përket atij soji që vriste, ekzekutonte, qytetarët shqiptarë dhe s’e e dinte se ata të shtypur i urrenin për vdekje bllokmenë hoxhistë. Do t’ia presim biletën, dhe ky është vetëm fillimi i marshit tonë të lirisë. Këtë javë shpresojmë që BE të vendosë hapjen e negociatave dhe u bëjmë thirrje nga kjo tribunë të hapin negociatat me Shqipërinë. Të mos ndëshkojnë shqiptarët për Edi Ramën. Edhe pse është errësirë, Edi Rama të na shohë sa jemi”, u shpreh Berisha para mijëra protestuesve.

Exit mobile version