Ish-kreu i Partisë Demokratike dhe ish-kryeministri shqiptar, Sali Berisha, ka përkujtuar në 12-vjetorin e ndarjes nga jeta ish-presidentin Ibrahim Rugova, duke thënë se kryeministri aktual i Shqipërisë Edi Rama ka bllokuar vendosjen e shtatores së Rugovës në Tiranë.
Këto komente Berisha i ka bërë përmes një postimi në Facebook, duke thënë se “albanofobi Edvin Kristaq Rama, njeriu që ka vendosur në gjoksin e famziut Bregoviq çelësin e artë të kryeqendrës së vendit, ka bllokuar vendosjen e shtatores së presidentit Rugova në Tiranë”.
Postimi i plotë i Berishës në Facebook:
“Sot 12-vjetori i ndarjes nga jeta të presidentit Rugova!
Te dashur miq, sot është 12-vjetori i ndarjes nga jeta të presidentit legjendar, gjeniut vizionar të kombit shqiptar, arkitektit të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Shqiptarët kudo në bote sot nderojnë me mirënjohje të pakufishme veprën e pavdekshme të presidentit Rugova, burrit të shtetit që shkriu jetën për Kosovën e lirë, të pavarur e evropiane, dhe për gjithçka që bëri për lirinë dhe dinjitetin tonë kombëtar.
Prej gati pesë vitesh, albanofobi Edvin Kristaq Rama, njeriu që ka vendosur në gjoksin e famziut Bregoviq çelësin e artë të kryeqendrës së vendit, ka bllokuar vendosjen e shtatores së presidentit Rugova në Tiranë, por Gandi i shqiptarëve, i Ballkanit dhe Evropës jeton përjetë në mendjet, në zemrat dhe lirinë e mbarë kombit tonë! sb”, ka shkruar Berisha. /Telegrafi/