Site icon Telegrafi

Berisha: Duam që transformimi i FSK-së të ndodhë përmes ndryshimeve kushtetuese (Video)

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Rrustem Berisha, ka theksuar se rritja e kapaciteteve të plota operacionale e bën këtë institucion të gatshëm të transformohet në Forca të Armatosura të Kosovës (FAK).

Ai në një intervistë për Telegrafin ka thënë se procesi i shndërrimit është dashur të fillojë qysh në vitin 2014, por që sipas tij, kjo gjë nuk ka ndodhur për arsye të cilat tashmë dihen në opinionin e gjerë.

“Ajo që është tepër më rëndësi është se FSK-ja, i ka plotësuar kapacitetet e saja operacionale dhe tani pritet të ketë ndryshim të misionit. Janë dy mënyra të transformimit të FSK-së. Përmes rrugës së ndryshimeve kushtuese dhe përmes përmbajtjes së ligjit. Përkushtimi jonë është që transformimi të ndodhë përmes ndryshimeve kushtetuese.

Angazhimi jonë është që komuniteti joshumicë të jenë pjesë e transformimit, edhe për vetë arsyen e ndryshimit të kushtetutës, ku dihet se për të ardhur të ndryshimet kushtetuese, duhet të votojnë 2 të 3 e deputetëve, përfshirë këtu edhe 2 të 3 e deputetëve të komuniteteve joshumicë”, ka shtuar Berisha.

Sipas tij, shumë më lehtë është që transformimi të ndodhë përmes ndryshimeve kushtetuese, duke shtuar se të gjitha përpjekjet tona, po punojmë shumë që komuniteti joshumicë të integrohet mirë në këtë institucion.

“Deri tani kemi organizuar trajnime, kurse falas të gjuhës shqipe dhe angleze, duke e ditur rëndësinë e komunikimit, i cili është pjesë e strategjisë së integrimit të komuniteteve në FSK. Ne llogarisim që në muajin shkurt t’i përfundojmë të gjitha aktivitetet e parapara”, ka theksuar Berisha. /Telegrafi/

Exit mobile version