Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar sot ashpër ndaj deklaratave të bëra një ditë më parë nga Kryeministri Edi Rama në takimin e Open Ballkan në Ohër.
Në fjalën e tij në Kuvend, Berisha ka thënë se deklaratat e Ramës për konfliktet në Ballkan janë një akt çnjerëzorë.
“Çfarë të drejte ka ky ta flasë në emër të të vdekurve në Kosovë. Çfarë të drejte ka kryeministri i Shqipërisë që me një akt çnjerëzorë të krahasojë viktimat e gjenocidit serb me viktimat e agresorit në Luftë e Dytë Botërore” ka thënë Berisha, duke shtuar se Kosova nuk ka kryer asnjë agresion.
“Çfarë njeriu është ku xhanëm? Ky bën gjithçka si skllav i Vuçiçit”, ka thënë Berisha.
“A do vazhdojmë të pranojmë ne këtë njeri që shkelmon mbi gjakun? Vetëm fëmijë në Kosovë të masakruar, të therur, të vrarë janë 1,400”, ka shtuar kreu i PD-së.
Duke iu drejtuar Ramës, Berisha ka vazhduar: “A ka fëmijë ky njeri? Çfarë ndjenjash ka, është njeri ky apo jo?”.
Kujtojmë se gjatë samitit të Open Ballkan, Rama ka përmendur konfliktet në Ballkan me një gjuhë ironizuese.
Teksa fliste nga foltorja ku përballë tij ndodhej i ulur Aleksandër Vuçiç, konfliktet që përfshinë edhe gjenocidin serb në Kosovë dhe Bosnje e më gjerë, Rama i përmblodhi me fjalët: “Ke vrarë këtë, atje ke therur atë!”
Kjo pjesë e fjalimit dhe mënyra e shprehjes së Ramës kanë ngjallur reagime të shumtë negative në opinionin publik. /Telegrafi/