Salzburgu ka arritur të sigurojë gjysmëfinalen e Ligës së Evropës për herë të parë në histori pasi ka mposhtur Lazion 4-1.
Lazio kishte triumfuar në ndeshjen e parë me rezultat 4-2 dhe ishte favorit edhe për takimin e dytë.
Skuadra e Simone Inzaghit po vinte në këtë takim pas një forme të shkëlqyer në Serie A.
Pjesa e parë e ndeshjes përfundoi me rezultat të barabartë 0-0, edhe pse si vendasit ashtu edhe mysafirët kishin raste të mira shënimi.
Me të filluar pjesa e dytë filloi edhe spektakli në Red Bull Arena, ku Luis Alberto kaloi mysafirët në epërsi në minutën e 55-të.
Austriakët u përgjigjën pas një minute kur shënoi sulmuesi Munas Dabbur për të barazuar shifrat në 1-1.
Salzburgu vazhdoi të dominonte ndeshjen ndërsa në minutën e 72-të e gjeti edhe golin e epërsisë së parë kur shënoi Haidara pas asistimit fantastik nga reprezentuesi kosovar Valon Berisha.
Dy minuta më vonë, Hwang Hee-Chan shtoi epërsinë e Salzburgut në 3-1 duke quar në trans tifozët e pranishëm.
Por vendasit nuk u ndalen me kaq pasi në minutën e 76-të, Stefan Lainer arriti të ngritë epërsinë në 4-1.
Lazio tentoi të shënonte golin e dytë për të siguruar vazhdimet por një gjëje të tillë nuk ia arriti.
Valon Berisha luajti gjatë 90 minutave për Salzburgun dhe ishte ndër më të mirët në fushë, ndërsa tek Lazio i plotë gjithashtu ishte Thomas Strakosha.
Kësisoj Salzburgu siguron gjysmëfinalen në Ligën e Evropës për herë të parë në histori të klubit. /Telegrafi/
https://www.youtube.com/watch?v=o0wBYDpK9Po
https://www.youtube.com/watch?v=bwyJJzWfEgE
https://www.youtube.com/watch?v=4dfKlGprl0Y