Kosova i ka nisur përgatitjet për ndeshjen miqësore ndaj Jordanisë dhe atë kualifikuese kundër Greqisë.
Të hënën mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë është mbajtur seanca stërvitore nën drejtimin e trajnerit slloven, Primoz Gliha.
Pas stërvitjes, opinionet e tyre për faqen zyrtare të FFK-së i dhanë Valon Berisha dhe David Domgjoni, të cilët u shprehën optimistë se do ta mbyllin vitin me rezultate pozitive, që do t’i shërbenin ekipit si motiv për edicionin e ri të Ligës së Kombeve, që nis në mars të vitit të ardhshëm.
“Me trajnerin e ri kemi filluar të mendojmë për dy ndeshjet e radhës që shpresojmë të marrim maksimumin. Jemi të motivuar dhe gjithçka ka shkuar në rregull”, ka thënë mes tjerash Domgjoni.
Sipas Berishës, Kosova do të luajë për rezultat pozitiv në të dyja ndeshje: “Me rezultat pozitiv të krijojmë atmosferë për të nisur një Kosovë të re”.
Ndryshe, Kosova të mërkurën, në orën 18:00, në stadiumin “Fadil Vokrri” do të luajnë ndeshje miqësore me Jordaninë, derisa katër ditë më pas do të luajnë kundër Greqisë në Athinë, ndeshje e cila do ta përmbyllë ciklin e kualifikimeve për Botërorin ‘Katari 2022’.