Site icon Telegrafi

Berisha bën thirrje për protestë, Balla: Mjeku varkëtar i Enver Hoxhës, i ngelur jetim që nuk i shkon mbrapa më askush

Kryetari i Grupit Parlamentar i Partisë Socialiste Taulant Balla ka sulmuar sot nga foltorja e Kuvendit Sali Berishën, të cilit iu referua si mjeku varkëtar i Enver Hoxhës që ka mbetur jetim se nuk i shkon njeri nga mbrapa.

Për thirrjet për protestë në mbështetje të studentëve të mjekësisë që bëri Berisha, Balla thotë se kundërshtari politik kërkon që Shqipëria të prodhojë mjekë për Gjermaninë.

Lexo po ashtu “Rrisni rrogat, mos tregoni kamxhikun”, Berisha përkrah protestën e studentëve të mjekësisë

“Mjeku varkëtar i Enver Hoxhës dhe familjes së tij, i ngelur jetim që nuk i shkon mbrapa më askush dhe sic e thashë në mëngjes, ju jeni të gatshëm të tërhiqni ose të gënjeni këdo, mjafton të bëhen 10-15 veta për një protestë. Gënjeu pa pikë turpi si e ka zakon për pagat. Një mjek specialist në Gjermani paguhet 146 mijë euro në vit. Këtë nuk e arrijmë dot”, tha Balla.

Lexo po ashtu Vazhdon protesta e studentëve në Tiranë, presin daljen e deputetëve nga Kuvendi

“Interesi kombëtar publik është shëndeti dhe kujdesja për qytetarin e cdo vendi. Na duhet të garantojmë qoftë banorëve të Vicidolit e Konspolit, shëndet publik. Prandaj duhet mjeku e infermieri. Zotëria thotë do dal në protestë sepse dua që me paratë e taksapaguesve të prodhojmë mjekë për Gjermaninë. Ne themi duhet të prodhojmë mjekë për Shqipërinë dhe të garantojmë interesin publik”, shtoi Balla.

“Ne do e bëjmë. Ky projektligj do kthehet në ligj në datën 20 korrik. Është rasti më i mirë që të mos bini pre e një keqinformimi, një budallallëku që t’i shkoni nga mbrapa disa zërave që thonë po shkelet. Nuk po shkelet Kushtetuta”, tha Balla.

Deputetët e mazhorancës dhe opozitës janë duke diskutuar sot projektligjin e qeverisë për të detyruar studentët e mjekësisë të punojnë 5 vite pas përfundimit të studimit në Shqipëri dhe pastaj të marrin diplomën.

Projektligji është kundërshtuar ashpër nga studentët të cilët po organizojnë protestë para Kuvendit. Deputetët e opozitës e kanë përkrahur protestën e studentëve. /Telegrafi/

Exit mobile version