Këtë të martë, në orën 10:00, nis seanca në Gjykatën e Apelit të Tiranës, e cila mund të jetë edhe e fundit për zgjidhjen përfundimtare të luftës brenda Partisë Demokratike, e nisur në fundin e vitit 2021.
Dy palët që kërkojnë të njihen përfundimisht si Partia Demokratike, Rithemelimi dhe pjesa që mbështet Lulzim Bashën kërkojnë drejtësi nga togat e zeza në Apel. Treshja gjykuese përbëhet nga Alma Ahmeti, Iliba Bezati dhe Elona Toro.
Ishte Gjykata e Lartë që ktheu çështjen në Apel, dhe në vendimin e zbardhur në 27 dhjetor të vitit të kaluar udhëzon shkallën e dytë të gjyqësorit që të japë zgjidhje përfundimtare për këtë çështje.
Beteja ligjore e PD
Më 11 dhjetor të 2021, Sali Berisha mbajti Kuvendin Kombëtar që shkarkonte Lulzim Bashën dhe ndryshoi logon dhe vulën
Në 18 dhjetor, Lulzim Basha zhvilloi Kuvendin e tij Kombëtar si përgjigje për Berishën dhe sanksionoi në statut se askush që është non grata nuk duhet të jetë pjesë e PD. Ndërkohë, po atë ditë mbështetësit e Berishës zhvilluan referendumin për ratifikimin e vendimeve të 11 Dhjetorit dhe nisi punën Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit.
Në 25 mars të 2022 Gjykata e Shkallës së Parë, me Gjyqtar Agron Zhukrin, tashmë të shkarkuar nga Vettingu pranoi kërkesën e Komisionit të Rithemelimit për të regjistruar ndryshime statutore, por vendimi u apelua nga Enkelejd Alibeaj, kryetar i komanduar në atë kohë.
Më 3 mars të 2023 Gjykata e Apelit vendosi ta kthente në shkallë të parë, por ndaj këtij vendimi u bë rekurs nga Flamur Noka në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Rithemelimi dhe çështja shkoi në Gjykatën e Lartë.
Më 27 dhjetor 2023, Gjykata e Lartë riktheu çështjen në Apel dhe në vendimin e saj jep urdhëresa që gjykata e shkallës së dytë ta zgjidh përfundimisht çështjen.
Çfarë thonë palët?
Për A2 CNN, dy Sekretarët për Çështjet Ligjore, Ivi Kaso dhe Indrit Sefa apelojnë për vendimmarrje të drejtë.
“Nuk presim asgjë më shumë dhe asgjë më pak, veç se të bëjë drejtësi dhe të vendosë bazuar në ligjin për partitë politike. Mbi të gjitha të zbatojë udhëzimet e datës 27 Dhjetor 2023, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë i ka përcaktuar”, thotë Kaso.
“Ne presim nga Gjykata e Apelit të zbatojë me përpikëri çdo detyrë që ka lënë Gjykata e Lartë. Ne duam që vendimmarrja e Apelit të jetë në frymën e vendimit të Gjykatës së Lartë. Gjykata e Lartë ka lënë disa detyra që duhet të zbatohen nga Apeli dhe përfundimisht të japë një zgjidhje përfundimtare për legjitimitetin e organeve drejtuese të Partisë Demokratike”, shprehet Sefa.
Pavarësisht se prej datës 27 Dhjetor të vitit të kaluar kanë në duar arsyetimin e Gjykatës së Lartë, rezervohen të shprehen se nga do të anojë peshorja e drejtësisë këtë herë.
“Ajo që kërkojmë ne dhe presim është që kjo çështje të zgjidhet në mënyrë të drejtë, pasi ligji është shumë specifik lidhur me trajtimin e çështjeve të tilla. Praktika gjyqësore është shumë specifike dhe Gjykata e Lartë e ka orientuar drejt zgjidhjen e kësaj mosmarrëveshjeje”, thekson Kaso.
“Ne nuk gjykojmë dhe nuk japim opinione lidhur me vendimin e gjykatës, por siç kemi deklaruar gjithmonë që çdo pale duhet të pranojë vendimmarrjen e Gjykatës së Apelit. Kjo është e rëndësishme për demokratët, kjo është rëndësishme për opozitën dhe për gjithë Shqipërinë”, thotë Sefa.
Sefa pohon se Partia Demokratike zyrtare është gati të pranojë çdo vendim të shkallës së dytë të gjyqësorit, ndërsa Kaso deklaron se nëse drejtësia do diktohet nga politika nuk do rrinë gojë kyçur.
“Jemi të gatshëm dhe do të zbatojmë çdo vendimmarrje të Gjykatës së Apelit. Të njëjtën gjë i kemi kërkuar dhe palës tjetër në Gjykim që të shprehet publikisht për qytetarët shqiptarë që do të respektojë dhe do të zbatojë vendimmarrjen e Gjykatës së Apelit”, vijon Sefa.
“Ne presim dhe shpresojmë që të ketë drejtësi, bazuar në Kushtetutë, në ligjin për partitë politike. Nëse vendimet e gjykatës do të diktohen nga interesa të tjera siç u diktuan herën e fundit, pra nga interesa e pushtetit dhe maxhorancës, sigurisht ne nuk do rrimë gojë kyçur përballë këtij fakti”, shton Kaso. /Telegrafi/