Site icon Telegrafi

Bëri sikur kishte vdekur, Magjun Alimehaj rrëfen si i mbijetoi masakrës së Lybeniqit (Video)

Njëzet vite më parë, sapo kishte zbardhur dita, njësitë paramilitare serbe nën drejtimin e grupit “Çakejtë” rrethuan Lybeniqin e Pejës. Pasi hyn në fshat ata masakruan mbi 80 civilë  te pafajshëm.

Magjun Alimehaj, i mbijetuar i masakrës, ka sjellë kujtime nga  kjo ngjarje e tmerrshme.  Ai rrëfen për  RTV Dukagjinin se si banorët e fshatit  i grumbulluan në qendër, dhe më pas i ndanë  burrat nga gratë për t’i ekzekutuar më vonë në mënyrë çnjerëzore.

“Kam qëndruar i përmbysur. Komandanti dha urdhrin që të kontrollohen të gjithë mos dikush ka mbetur gjallë. Ushtarët vinin e kontrollonin me shqelma. Por, mua Zoti ma dha forcën dhe durimin nuk ka gjëmuar e as frymë nuk kam marrë që të mos më hetojnë që jam gjallë. Kur kanë menduar se të gjithë jemi të vdekur ata janë tërhequr”, rrëfen Magjun Alimehaj.

Në shënimin e këtij përvjetori i pranishëm ishte edhe kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, i cili tha se falë gjakut të derdhur të dëshmove ne sot e gëzojmë lirinë.

“Ne po me të njëjtën dhembje përkujtojmë të rënët në këtë masakër. Por njëherësh këto tubime duhet të na shërbejnë se ne të gjallët kemi obligime ndaj këtyre që kanë rënë për lirinë tonë. Duhet të ndërtojmë një shoqëri të mirë, prosperuese dhe të ndershme që fëmijët e martirëve dhe dëshmorëve të rriten në lirinë që e kanë ëndërruar baballarët e tyre”, deklaroi Gazmend Muhaxheri.

Për t’i përkujtuar viktimat e kësaj masakre kishin ardhur edhe bashkatdhetarë nga vende të ndryshme të botës.

“Në këto data plot dhimbje, ne mërgimtarët do t’i qëndrojmë gjithmonë afër fshatit Lybeniq. Në emër të mërgimtarëve të fshatit Lybeniq ju falënderoj që po ndani dhimbjen me ne”, deklaroi mërgimtari Ilir Avdullahu.

Masakra e Lubeniqit konsiderohet si një nga masakrat më makabre të kryera në Kosovë./RTV Dukagjini/Telegrafi/

Exit mobile version