Telegrafi

Bëri kallëzim të rremë për të përfituar siguracionin 60,000 euro, procedohet 27-vjeçari

Një 27-vjeçar është proceduar penalisht nga policia në Vlorë, pasi bëri kallëzim të rremë për vjedhjen e mjetit me vlerë 60 mijë euro për të përfituar kompensim nga kompania e siguracionit.

Pas hetimeve bazuar në pamjet filmike policia ka gjetur të fshehur në një garazh dhe ka sekuestruar automjetin e 27-vjeçarit.

“Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Vlorë, menjëherë pas marrjes së kallëzimit nga shtetasi K. C., banues në Itali, se në Zvërnec i kishin vjedhur automjetin e tij tip “Range Rover” me targa italiane, me vlerë 60,000 euro, organizuan punën për zbardhjen e këtij rasti,” thuhet nga policia.

“Nga veprimet hetimore, bazuar dhe në pamjet filmike të siguruara, rezultoi se shtetasi K. C. kishte bërë kallëzim të rremë për vjedhjen e automjetit të tij, me qëllim përfitimin e kompensimit me vlerën 60,000 euro, nga kompania e siguracionit të automjetit. Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin K. C., 27 vjeç, banues në Itali. Si rezultat i kontrolleve të kryera në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 4, u gjet i fshehur në një garazh në Tiranë, automjeti tip “Range Rover”, i cili u sekuestrua në cilësinë e provës materiale”, bëri me dije policia. /Telegrafi/