Telegrafi

Berat Lahu lirohet nga paraburgimi për arsye shëndetësore

Asamblistit të Kuvendit Komunal të Prishtinës, Berat Lahu, i është ndërprerë masa e paraburgimit për arsye shëndetësore.

Ai ishte arrestuar në aksionin “Brezovica” më 9 shtator.

Gjykata Themelore në Pejë aprovoi kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë që Lahut t’i caktohet masa e ndalimit për t’iu afruar vendit ose personit të caktuar, në këtë rast të pandehurve dhe dëshmitarëve të rastit “Brezovica”.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar avokati i tij, Valdrin Behrami.

“Po, i është ndërprerë masa e paraburgimit për arsye shëndetësore. Tani jemi duke shkuar që ta marrim pasi lirohet në orën 13:00. Gjykata ia ka caktuar masën e ndalimit për t’iu afruar vendit ose personit të caktuar”, ka deklaruar Behrami.

Telegrafi ka provuar të kontaktojë edhe me Gjykatën në Pejë, por nuk kanë qenë të qasshëm.

Ndryshe, Berat Lahu dyshohet për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit”.

Të njëjtin Lëvizja Vetëvendosje e pati suspenduar deri në zbardhjen përfundimtare të rastit.

“Deri në zbardhjen përfundimtare të këtyre pretendimeve dhe verdiktit në procesin gjyqësor që do të kryhet anëtarit Berat Lahu i suspendohet anëtarësia në subjektin tonë, vendim ky i marrë nga organet tona të brendshme përgjegjëse”, ka thënë për Telegrafin zëdhënësi i VV-së, Arlind Manxhuka.

Asamblisti Berat Lahu ishte kërkuar edhe me herët për rastin “Brezovica”, por nuk ishte hasur në shtëpi.

Më datën e 3 mars të këtij viti, Lahu i kishte shpëtuar arrestimit. Ai atë kohë kishte mohuar se iu ka bastisur shtëpia. /Telegrafi/