Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri ka thënë se partia e tij kërkon vetëm bashkëqeverisje të balancuar.
Sipas Beqirit kjo është kërkesa e vetme, ndërsa këtë koment ai e bëri pak kohë pasi LDK-ja kishte pranuar letrën e kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit.
“Bashkëqeverisje e balancuar, as më shumë dhe as më pak”, shkruan Beqiri.
Megjithëse, lideri i LDK-së, Isa Mustafa tha se këtë letër nuk e kanë marrë si zyrtare, dhe se sipas tij kishte cilësime që nuk mund të konsideroheshin zyrtare, kjo letër u publikua nga LVV-ja dhe deputetja e zgjedhur e kësaj partie në Kuvendin e Kosovës, Albulena Haxhiu ka thënë se ende e kanë shansin që të bëjnë ndryshimin.
Në letrën e LVV-së, drejtuar LDK-së, Kurti ka kërkuar që LDK të kthehet në tryezën e bisedimeve për ta bërë marrëveshjen e koalicionit.
Po ashtu, Kurti në këtë letër shkruan se LDK-ja duhet të heq dorë nga kërkesa për ta larguar Glauk Konjufcën nga pozita e kryeparlamentarit. /Telegrafi/