Telegrafi

Beqaj: Teknologjia digjitale dhe inteligjenca artificiale po e transformojnë ekonominë

Ka filluar punimet Konferenca e Tretë Ndërkombëtare “Siguria Kibernetike dhe Privatësia” (Cyber Security and Privacy), organizuar nga Komuniteti i Sigurisë Kibernetike dhe Privatësisë, nën patronatin e Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë.

Në hapje të kësaj konference morën pjesë kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, kryeministri Ramush Haradinaj, ambasadori i SHBA-ve, Greg Delwie, dhe ministri i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj.

Ministri Besim Beqaj, ka theksuar përkushtimin e tij dhe të Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë për përkrahje të ndryshimeve dhe zhvillimeve teknologjike që ndodhin në mënyrën e duhur dhe të sigurt.

“Teknologjia digjitale, inteligjenca artificiale, big data dhe Internet of things po e transformojnë jetën tonë të përditshme dhe ekonominë, është e rëndësishme të garantojmë siguri kibernetike për zhvillim të qëndrueshëm”, tha ministri Beqaj.

Punimet e Konferencës “Siguria Kibernetike dhe Privatësia” i kanë përshëndetur edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, kryeministri Ramush Haradinaj dhe ambasadori Greg Delwie.

Konferenca e Tretë Ndërkombëtare për sigurinë kibernetike dhe privatësinë do të vazhdojë punimet edhe nesër dhe pasnesër ku do të paraqiten me punimet e tyre ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë. /Telegrafi/